Pak kush mund ta kishte menduar se, me përfundimin e edicionit futbollistik 2021/22, Kosovës do t’i ndryshonte fytyra e sportit më të popullarizuar në botë.
Klubet e Superligës nuk do të kufizoheshin më vetëm brenda “rrethojave” të futbollit vendor. Një rrugë e re po hapej në fund të pranverës së vitit 2022.
FC Ballkani festoi titullin e parë kampion në historinë e tij, por me këtë kurorëzim hapi edhe një faqe të re në historinë e futbollit kosovar.

Vetëm brenda pak muajsh, stema e këtij klubi u radhit mes emrave të njohur të futbollit evropian.
Kualifikimi i një klubi nga Kosova, për herë të parë, në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian, nuk ishte vetëm një pjesëmarrje.
FC Ballkani arriti ta mposhtë Sivassporin e Turqisë dhe të barazojë me kampionët rumunë, Cluj, teksa edhe në ndeshjet që i humbi u paraqit me dinjitet, duke mos u mundur në asnjë ballafaqim me më shumë se një gol diferencë.
Një skuadër që po mahniste me futbollin e luajtur, nuk kishte si të mos shpallej sërish kampione e Kosovës edhe në sezonin e ri.
Prapë Ballkani, prapë rruga evropiane e ndritur, prapë pjesëmarrës në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League.
Tashmë suharekasit nuk ishin më të panjohur për kundërshtarët.
Edhe njëherë, “Xhebrailat” lanë gjurmë të mëdha në kampanjën e tyre ndërkombëtare, duke e mposhtur madje gjigantin kroat, Dinamo Zagreb, me rezultat 2:0 në Prishtinë.
Tani jehona e këtij klubi po përhapej gjithnjë e më larg.
Ta mposhtje Dinamon historike të Kroacisë, e cila vetëm pak kohë më parë kishte gjunjëzuar Chelsean, Sevillan dhe Tottenhamin, do të thoshte shumë.

Përsëri, Ballkani grumbulloi katër pikë!
Edicioni 2023/24 do të ishte edhe një storje e re suksesi e këtij klubi, pasi fitoi katër trofe.
Titullin kampion,
Kupën e Kosovës,
Superkupën e Kosovës
Superkupën mbarëkombëtare.
Rrugëtimi evropian i këtij klubi, u ndal në raundin e tretë kualifikues të UECL-së, pasi mposhtet me penallti nga Larne, derisa edhe edicionin e ardhshëm, nuk ia doli të kualifikohej në finalet e Konferencës së Evropës. Shamrock Rovers e eliminoi!
Tani, ky emër i madh i futbollit shqiptar, sërish do ta nis rrugëtimin evropian, duke u përballur në rrethin e parë eliminator të ‘Conference League’ me nënkampionët e Uellsit, Connah’s Quay Nomads F.C.
Ndeshja e parë zhvillohet më 8 korrik në “Llanelian Road”, kurse ajo e kthimit më 16 korrik në stadiumin e kryeqytetit kosovar “Fadil Vokrri”.








