Ishin vitet e para të pasluftës, kur basketbolli i Kosovës kishte nevojë ringjalljen.
Që diçka e tillë të ndodh, e domosdoshme ishte që organizimet e klubeve të mund të bëheshin nga e para e nga zero. E për këtë gjë, kishte nevojë për shtrirje dore nga investitorët.
Në qytetin e bukur dhe historik të Kosovës, ky sport rifilloi shpejt lulëzimin. Prizreni po kthehej në qendrën e vëmendjes basketbollistike.
Një burrë me plot virtyte të shquara njerëzore, një person me sedër e këmbëngulësi për ta çuar në maje Bashkimin, vendosi të jepte krejt çka mundet nga vetja, që kjo të bëhet realitet.

Ashtu edhe ndodhi! – Hasan Kabashi investoi pa rreshtur në klubin e qytetit, duke e kthyer palestrën “Sezair Surroi” në atraksion, ku lojtarët derdhnin djersën me pasion, e investitori derdhte paratë për ta bërë publikun prizrenas të shijojë e përjetojë momente të paharruara.
Qytetarët e këtij qyteti buzë Bistricës, ende e kanë të kthjellët atë kohë me plot entuziasëm e mrekulli basketbollistike.
Kjo histori e bukur e këtij klubi me familjen e këtij njeriu që kontribuoi për këtë gjë, nuk përfundoi kur biznesmeni i njohur, u ballafaqua me probleme shëndetësore.
Ora thjeshtë u ndal për pak kohë! Akrepat e njejtë e rifilluan lëvizjen graduale por të sigurt edhe pas rreth dy dekadave.
Tani, i biri i Hasanit që e trashëgoi ndjeshëm nga i ati lidhjen e jashtëzakonshme shpirtërore me klubin e qytetit, e rinisi shkëlqimin.

Kushtrimi mori ‘timonin’ e Bashkimit në duart e tij, me të vetmin qëllim, me një objektiv të pakompromis: Ta rikthejë shkëlqimin deri në piedestal, pa u lodhur e dëshpëruar nga peripecitë me të cilat do përballej rrugës.
Djaloshi plot jetë e shpresë se do t’i rikthejë ditët e lavdisë në Prizren, nuk zbrapsej më, s’kishte asnjë ‘fortunë’ që mund ta bënte të dorëzohej.
I rrethuar nga plot të tjerë me një ideal të unifikuar. ‘Ushtria’ e përbërë edhe nga: Astrit Martinaj, Alajdin Fusha, Yll Hoxha, Varis Xhejlani, Bashkim Kabashi, Fati Namlegjiu, Arrit Xharra, Fati Fusha etj, marshuan drejt sukseseve.
Celulat e para të protagonizmit, nisën në gara evropiane, ku prizrenasit mposhtën emra të mëdhenj të këtij sporti në Evropë.
Në qytetin e Ymer Prizrenit, u gjunjëzua Cibona e madhe kroate, derisa u mposhtën edhe emra të tjerë me nam evropian.
Duke mos lënë ‘gur’ pa lëvizur, duke provuar në të gjitha format e mundshme strukturimin e dinjitetshëm të Bashkimit të zemrës, ai dhe njerëzit e tij përreth po qëndronin kokëlart e krenarë, pavarësisht vështirësive.
As finalet e humbura, as episodet kontroverse në plot ndeshje, nuk përktheheshin kurrë me dorëzim.
E tëra kjo, nuk kishte se si të rezultonte ndryshe, pos me fillimin e arritjes së kapjes të objektivave.
Edicioni 2026/27 nisi siç është më së miri për këtë klub, tifozët unikë të tyre “Arpagjik’t” dhe kryesinë.

Me një luftë të pashoq në parket, me shtytjen e motivimin për lakmi nga të gjithë, për akterët e parketit, Bashkimi me rikthim senzacional e përmbysi kampionen e Kosovës, Trepçën, në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Gëzimi, krenaria e lotët në fytyrën e z.Kabashi dhe çdo anëtari të këtij klubi, tifozëve e mbarë Prizrenit, flet më shumë se gjithçka për peshën që ka ringritja e klubit në nivelet më të larta basketbollistike të Kosovës.

Historia po bën gati faqet e radhës për t’u mbushur me lavdi e glorifikim.
Që një moment i tillë të trokiste, para vetës familja Kabashi kishte një mal problemesh, përfshirë edhe shumë obligime financiare të trashëguara, që e rëndonin barrën mbi supet e tyre. Por, qëllimi për të arritur aty ku të gjithë kërkonin, ishte më me peshë se çdo gjë tjetër, sa do e vështirë që ishte.

Tani, rruga u kthye aty ku dikur kishte nisur, me familjen Kabashi dhe bashkëpunëtorët e tyre, që besuan në këtë projekt të përbashkët.
Serioziteti i këtij njeriu në krye të klubit, mblodhi afër vetes edhe sponsorë të tjerë që tani besojnë bashkarisht në rrugën e filluar.
Trofeu i fituar është vetëm fillimi, është rritje e ambicies e objektivave. Fundi nuk shihet afër!
Dy dekada, dy gjenerata, një qëllim, një dashuri. Klubin basketbollistik Bashkimi!
#HisariOnline







