Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka deklaruar se është çështje e partive politike të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit.
Ai i sheh si hap pozitivë takime e fundit që janë zhvilluar në mes të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Siç u shpreh ambasadori, Guerot edhe Kushtetuta e Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën.
“Mendoj se është shumë mirë që partitë politike po flasin me njëra-tjetrën. Është e tyre që të gjejnë një zgjidhje. Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën. Sigurisht, nuk dua të komentoj për këto diskutime tani sepse është çështje e tyre që të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ambasadori francez për KosovaPress.
Ambasadori francez beson se subjektet politike dhe institucionet në Kosovë qetësisht do të punojnë për zgjedhjen e shefit të shtetit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







