Këtë mesjavë nis Kupa e Kosovës në futboll, me shumë duele që do të zhvillohen nga kategoritë e ndryshme të ligave.
Lideri i Superligës, Ballkani do ta fillojë kampanjën në shtëpi, ku e pret skuadrën nga Peja, KF Rilindja 1974, e cila bën pjesë në Ligën e Parë.
Dueli i zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit” luhet nesër me fillim nga ora 12:30.
Trajneri kroat, Mislav Karoglan e nisi në mënyrë fantastike aventurën e tij me “portokallinjtë”, duke triumfuar në derbin ndaj Dritës si mysafir 3-2 të dielën, për të marrë kreun e tabelë. E trajneri kroat, synon që të debutojë me fitore edhe në këtë kompeticion nesër.
Ndërkohë, kundërshtari i nesërm i Ballkanit nuk është aspak i panjohur për ta, pasi ishte pikërisht kjo skuadër e cila i eliminoi ata nga kjo garë edicionin e kaluar.
Ndeshja e kohës së rregullt kishte përfunduar 1-1, ndërkohë që Rilindja kishte triumfuar në penallti 10-9.
Kësisoj, skuadra suharekase do të kërkojë edhe një lloj hakmarrje për eliminimin e edicionit të kaluar ndaj tyre.
/HisariOnline/







