spot_img
HomeLajmeJoseph: Kosova të jetë model për paqen në Ukrainë

Joseph: Kosova të jetë model për paqen në Ukrainë

spot_img

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, propozon një qasje strategjike për të arritur paqe në Ukrainë, duke u bazuar në modelin e Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas – administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë – mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.

Joseph vlerëson gjithashtu përpjekjet e administratës Trump, duke theksuar se ajo ka vënë në qendër arritjen e paqes në Ukrainë dhe ka sjellë dinamikë të re në procesin e negociatave.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, ju propozoni zbatimin e modelit të Kosovës në Donbas. Cili është mësimi më i rëndësishëm nga Kosova që besoni se mund të zbatohet në Ukrainë sot?

Edward P. Joseph: Gjëja më e rëndësishme dhe më interesante e përdorimit të modelit të Kosovës në Donbas – pra në Ukrainë – për të arritur një armëpushim, është se presidenti rus [Vladimir] Putin e mbështet atë.

Kjo është pika fillestare, por jo e vetmja. Putin, për më shumë se dy dekada, ka insistuar se duhet të respektohet Rezoluta 1244. [v.j. Me këtë rezolutë të vitit 1999 është urdhëruar tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova dhe vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara].

Putin, gjithashtu, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova dhe Ukraina janë e njëjta gjë.

Ideja e përdorimit të një modeli është krejtësisht e përshtatshme. Administrata amerikane po merr elemente nga plani për Gazën. Por, unë mendoj se modeli i Kosovës është shumë më relevant se ai i Gazës. Modelin e Kosovës edhe vetë Putin e di shumë mirë.

Radio Evropa e Lirë: Por, kritikët argumentojnë se Kosova ka qenë një rast unik, me një konsensus të fortë ndërkombëtar, ndryshe nga Ukraina. Pse besoni se një model i tillë mund të funksionojë gjithsesi?

Edward P. Joseph: Rezoluta 1244 e nxori çështjen e sovranitetit jashtë diskutimit, pa e mohuar apo shpallur pavarësinë e Kosovës, por duke i dhënë fund konfliktit dhe duke i hapur rrugë administrimit ndërkombëtar dhe pranisë së trupave paqeruajtëse në Kosovë.

I njëjti parim do të zbatohej edhe në Donbas dhe debati se ‘kujt i përket’ ai do të shtyhej për më vonë – me një referendum të ardhshëm për ta zgjidhur. Putin i mbështet referendumet – ai i ka organizuar ato edhe në Krime, edhe në pjesët e Donbasit që Rusia i kontrollon. Pra, atij do t’i servireshin dy gjëra që s’i kundërshton: modeli i 1244-shit dhe referendumi.

Me këtë model, do të mund ‘të fitonte’ edhe më shumë territor, sipas mendimit tim – madje edhe më shumë sesa ofron plani i [presidentit amerikan, Donald] Trump. Do të mund të fitonte edhe zonat e Donbasit perëndimor, që për Ukrainën janë më të ndjeshmet, sepse me kontrollin e tyre, Rusia do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë vendin dhe, madje, do të mund të hapte një tjetër rrugë drejt Kievit.

Por, atij do t’i duhej të pranonte edhe një kusht – ngjashëm siç ka bërë Kosova. Do të duhej të pranonte administrimin [e Donbasit] nga një palë e tretë – qoftë nga OKB-ja, qoftë nga OSBE-ja.

Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe ndoshta i pëlqen administrimi i OKB-së, pasi vazhdimisht insiston që UNMIK-u duhet të mbetet në Kosovë./REL/

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img