spot_img
HomeLajmeOsmani: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së...

Osmani: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme

spot_img

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar vizionin e Kosovës për ekonominë e gjeneratës së ardhshme në World Governments Summit në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke theksuar se Kosova është e gatshme për bashkëpunim, inovacion dhe rritje të qëndrueshme globale.

Presidentja Osmani para liderëve botërorë, investitorëve dhe përfaqësuesve institucionalë, ka theksuar se ekonomia globale po kalon një nga transformimet më të thella ndër breza, ku rritja nuk përcaktohet më nga madhësia apo gjeografia, por nga kapaciteti për të qeverisur, për të inovuar dhe për t’u përshtatur.

Duke rikujtuar të kaluarën e Kosovës, Osmani theksoi se vetëm 26 vjet më parë vendi doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të jashtëzakonshme, infrastrukturë të shkatërruar dhe ekonomi të rindërtuar nga zero.

“26 vjet më parë, unë nuk qëndroja në sallat e mundësive. Unë lutesha për të mbijetuar”, ka theksuar ajo, duke nënvizuar se për Kosovën paqja nuk është një ideal abstrakt, por “çështje jete”, sepse kur bota zgjedh të mbrojë më të pambrojturit, jetë shpëtohen dhe krijohen themelet e një të ardhmeje më të mirë.

Sipas saj, Kosova është shndërruar brenda një brezi në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon, duke shtuar se ky rrugëtim nuk matet vetëm me shifra, por me dinjitet dhe qëndrueshmëri njerëzore.

“Ne nuk rindërtuam vetëm shtëpitë tona, rindërtuam edhe shpirtin tonë me një qëndrueshmëri të palëkundur”, u shpreh Osmani, raporton RTKlive.

Duke folur për të ardhmen, ajo theksoi se rritja e gjeneratës së ardhshme në Kosovë mbështetet në tre shtylla: njerëz të fuqizuar, institucione të forta dhe një sektor privat dinamik, duke vënë theks të veçantë te rinia, si avantazh strategjik i vendit me popullsinë më të re në Evropë.

Ajo vuri në pah suksesin e të rinjve kosovarë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe rolin e grave në teknologji dhe inovacion, duke theksuar se Kosova po investon në një gjeneratë të aftë për të formësuar mundësitë e së nesërmes.

Presidentja Osmani iu referua edhe inteligjencës artificiale, duke theksuar se Kosova i qaset asaj me qartësi dhe përgjegjësi.

“Teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi”, ka thënë ajo, duke shtuar se inteligjenca artificiale duhet “të funksionojë për njerëzit, jo në vend të njerëzve”, dhe të shërbejë për zgjerimin e mundësive, jo të ndarjeve.

Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, duke nënvizuar se ky përkushtim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit dhe sigurisë.

“Sipas Gallup International, Kosova sot është vendi më i sigurt në të gjithë kontinentin evropian”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese.

Duke folur për klimën e biznesit, presidentja ka theksuar se eksportet dhe investimet e huaja direkte janë më shumë se dyfishuar, ndërsa Kosova ofron qasje në një treg prej mbi 700 milionë konsumatorësh përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe regjimeve pa viza.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke deklaruar se ekonomitë e gjeneratës së ardhshme nuk përcaktohen nga pika e nisjes, por nga drejtimi që zgjedhin.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img