KB Trepça ka falënderuar publikisht klubin e Golden Eagle Yllit dhe qytetin e Suharekës për “mikpritjen, korrektësinë dhe sjelljen shembullore”, që sipas tyre e gjetën në Suharekë.
“Në frymën e korrektësisë, respektit dhe vlerave të vërteta sportive, falënderojmë qytetin e Suharekës, si dhe drejtuesit e klubit Golden Eagle Ylli, për mikpritjen, korrektësinë dhe sjelljen shembullore”, thuhet në një postim nga KB Trepça.
Në njoftim u tha se “sporti na bashkon, respekti na forcon dhe miqësia na ndjek kudo”.
Kujtojmë që mbrëmë u zhvillua ndeshja kthyese çerekfinale në Suharekë mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, ku klubi mysafir përmbysi disavantazhin e tre pikëve nga ndeshja e parë në Mitrovicë, duke triumfuar në Suharekë dhe kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Në palestrën “13 Qershori” ishin një numër i madh edhe i tifozëve mysafirë që kishin ardhur për ta shikuar ndeshjen, kësisoj, nuk ka munguar në fund as qasja fer e klubit mitrovicas, duke i falënderuar për mikpritjen.
/HisariOnline/







