Pas negociatave të shumta me disa trajnerë, KB Golden Eagle Ylli ka gjetur më në fund trajnerin e ri do t’i prijë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit 2025-26.
Golden Eagle Ylli zyrtarizoi mbrëmë nënshkrimin me trajnerin e mirënjohur spanjoll, Paco Olmos.
Olmos do të debutojë me klubin suharekas që nga sonte, kur Golden Eagle Ylli e luan ndeshjen kthyese çerekfinale të Kupës së Kosovës ndaj KB Trepçës.
Ndërsa Golden Eagle Ylli ka hyrë në një seri të pamposhtur në vitin 2026, do të mbetet të shihet nëse trajneri spanjoll do ta vazhdojë serinë e fitoreve.
Trajneri i përkohshëm i deritashëm i Golden Eagle Yllit, Endrit Elshani pati një start perfekt me suharekasit që kur mori drejtimin e klubit si trajner kujdestar, duke fituar të katër ndeshjet e tij.
Elshani udhëhoqi klubin drejt një fitore të madhe në Mitrovicë ndaj KB Trepçës në Kupë, ndërsa arriti tri të tjera me radhë në Superligë, ndaj KB Bashkimit, KB Prishtinës e KB Pejës.
Golden Eagle Ylli do të zhvillojë sonte duelin kthyes çerekfinal të Kupës së Kosovës ndaj KB Trepçës në Suharekë, duel ky që do ta përcaktojë gjysmëfinalistin e garës.
Suharekasit nën regjinë e Elshanit mposhtën mitrovicasit me rezultat 102-99, për të pasur tani një avantazh prej tre pikëve përpara duelit të dytë.
/HisariOnline/







