KB Golden Eagle dhe KB Trepça do të zhvillojnë sonte duelin e nxehtë kthyes çerekfinal të Kupës së Kosovës në basketboll.
Suharekasit presin mitrovicasit sonte në “13 Qershori”, duke filluar nga ora 18:45.
Kjo ndeshje do të jetë përcaktuese se cila skuadër do të sigurojë biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Golden Eagle Ylli kanë një avantazh të lehtë prej tre pikëve nga ndeshja e parë, pasi triumfoi në Mitrovicë, duke fituar me epërsi 102-99.
Kësisoj, duke ditur sistemin në këtë garë të rëndësisë së koshdallimit, suharekasit me avantazhin e tre pikëve nënkupton se mund të lejojnë edhe humbjen nëse është deri në dy pikë.
Trepçës ndërkohë i duhet një fitore 4+ pikë sonte në Suharekë, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Përpara kësaj ndeshje, Golden Eagle Ylli ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur spanjoll, Paco Olmos, i cili do të debutojë sonte ndaj Trepçës.
Ndërkohë, tifogrupi i qytetit të Suharekës, ‘Xhebrailat’ kanë bërë thirrje masovike për të qenë në palestër sonte dhe përkrahur klubin e qytetit.
Ndërsa edhe klubi i KB Trepçës në një postim në Facebook ka thënë se vijnë në Suharekë me një mision të qartë, që është kualifikimi në gjysmëfinale.
Suharekasit në përgjithësi e kanë nisur në formë perfekte vitin 2026, duke regjistruar katër fitore të njëpasnjëshme, përfshirë fitoren në Kupë ndaj Trepçës dhe tre fitore të tjera në Superligë.
Ndërsa formë të lartë ka treguar edhe klubi mitrovicas në 2026, duke arritur tre fitore në Superligë, krahas humbjes ndaj Golden Eagle Yllit në Kupë.
/HisariOnline/







