spot_img
HomeLajmeKurti: Kujtesa, e vërteta dhe drejtësia për Reçakun janë...

Kurti: Kujtesa, e vërteta dhe drejtësia për Reçakun janë obligim

spot_img

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në Reçak, në nderim të 45 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat paramilitare serbe më 15 janar 1999.

Në përvjetorin e 27-të të masakrës, Kurti theksoi rëndësinë e kujtesës, së vërtetës dhe drejtësisë si detyrime që nuk vjetrohen.

“Jemi mbledhur në Reçak për të nderuar kujtimin e 45 civilëve të vrarë më 15 janar 1999. Sot, në përvjetorin e 27-të, jemi bashkë për të përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore dhe shtetërore që e tejkalojnë kohën, obligimin ndaj kujtesës, së vërtetës dhe drejtësisë”, tha ai.

Kurti gjithashtu përkujtoi sakrificën e familjarëve dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës:

“Të dashur familjarë të të vrarëve në Masakrën e Reçakut, ju fëmijë dhe pasardhës të martirëve dhe dëshmorëve, sot këtu në Reçak ju përkulemi me respekt të thellë. Dhimbja juaj është dhimbja jonë”, tha ai

Kurti theksoi edhe rëndësinë e dokumentimit të krimeve dhe drejtësisë ndërkombëtare.

“Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ai ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik”, tha Kurti.

Në fund, Kurti theksoi përpjekjet e Kosovës për drejtësi për krimet e luftës.

“Në dhjetor të vitit 2025, Republika e Kosovës bëri një hap të rëndësishëm në rrugën e drejtësisë, kur Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut, për krime lufte. Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autorë, se e vërteta nuk parashkruhet dhe se drejtësia nuk ndalet, edhe kur kriminelët fshihen apo strehohen në Serbi”, tha ai

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img