Ballkani ka bërë një hap fals në tentimin për të marrë kreun e tabelës së Superligës, pasi është mposhtur në shtëpi nga Llapi.
Skuadra suharekase u mposht me rezultat 4-2.
Vendasit e nisën më mirë sfidën, duke hapur llogarinë në minutën e dytë të ndeshjes përmes Valentin Serebes.
Megjithatë, kjo epërsi e vendasve nuk zgjati shumë, pasi mysafirët brenda katër minutave barazuan dhe krijuan avantazhin, fillimisht përmes Edon Sadriut duke realizuar në minutën e 10-të, e më pas Hasan Hysenit duke shënuar në të 14-ën.
Mysafirët nuk u ndalën dhe realizuan edhe njëherë pak pa përfunduar pjesa e parë, me këtë herë realizues Axel Gnapi në minutën e 44-të.
‘Portokallinjtë’ dhanë shenja për rikthim në pjesën e dytë, duke ngushtuar epërsinë sërish përmes Serebes në minutën e 61-të, megjithatë edhe këtu shpejt u shua ëndrra për rikthim, pasi podujevasit shënuan vetëm një minutë më vonë për golin e katërt.
Vendasit bënë përpjekje të vazhdueshme për pjesën e mbetur për të ngushtuar epërsinë, por ajo mbeti e pandryshuar, duke përfunduar kështu sfida 4-2 në të mirë të Llapit.
Ballkani regjistron humbjen e dytë me radhë dhe të tretën në përgjithësi në kampionat, duke mbetur e dyta në tabelë me 23 pikë, tre më pak sesa lideri Prishtina.
Ndërkohë, pas dy ndeshjeve pa fitore, Llapi gjen rrugën te triumfi, duke u ngritur tani në vendin e 5-të me 20 pikë.
Kujtojmë që kjo ishte ndeshja e parë e Ballkanit nën urdhërat e Edon Gashit, i cili po zëvendëson të larguarin Orges Shehun nga posti i trajnerit.
/HisariOnline/







