Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se aktualisht situata e krijuar nga vërshimet është nën kontroll.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Kurti ka njoftuar se komunat e prekura nga vërshimet janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja.
“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se, bazuar në të dhënat nga terreni, gjatë natës është intervenuar në shumë lokacione ku ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve, si dhe në zona ku janë bllokuar pusetat, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie.
Kurti ka bërë të ditur se një ditë më parë ekipet e agjencive të emergjencës kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar dhe për të ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme, ndërsa në gatishmëri ka qenë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ai ka theksuar se gjatë përballjes me vërshimet, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së infrastrukturës kritike.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues dhe në shërbim të qytetarëve. Falënderoj qytetarët për solidaritetin e treguar ndaj njëri-tjetrit dhe për bashkëpunimin me institucionet përgjegjës, dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
/HisariOnline/







