Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se “situata aktuale me energjinë është alarmante dhe se nuk ka zgjidhje të mjaftueshme për të adresuar problemet e përditshme që qytetarët po përballen”.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “rezultatet që dolën nga zgjedhjet që sapo i kaluam, kam shqetësimin se nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë. Gjendja e rënduar me energji është alarmante”.
Tutje ai tha se shumë vendbanime janë duke përjetuar reduktime të energjisë të tejzgjatura, sidomos në periudhën kur temperaturat janë të ulëta dhe qytetarët kanë nevojë për ngrohje.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje. Siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare”, deklaroi Haradinaj.
/HisariOnline/







