Ish-ministrja dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke kritikuar ashpër qeverisjen pesëvjeçare të Vetëvendosjes dhe duke bërë thirrje për reflektim e llogaridhënie.
“Fitimi i zgjedhjeve pa rezultate konkrete, me njerëz nën aktakuza, korrupsion të lartë, masa ndëshkuese të BE-së, degradim të raporteve me SHBA-të, kapje institucionale, shkelje të Kushtetutës, inflacion dyshifror dhe mafi energjetike, po cilësohet si ‘sukses i madh’”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se ky është momenti për të dhënë dhe marrë përgjegjësi, duke falënderuar votuesit dhe strukturat e LDK-së për besimin dhe përkushtimin e treguar.
“Së bashku nuk do të ndalemi. LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, besim dhe ekip”, ka përfunduar Bajrami.
Postimi i plotë:
Urime fituesit të zgjedhjeve!
Sepse t’i fitosh zgjedhjet pa asnjë sukses për pesë vjet qeverisje, me njerëz nën aktakuza, me korrupsion enorm, nën masa ndëshkuese të BE-së, me degradim të raporteve me SHBA-të, me kapje dhe nepotizëm në çdo institucion, me shkelje serike të Kushtetutës, me inflacion dyshifror dhe me mafi energjetike vërtet është “sukses i madh”.
Po, votuesit tanë kokën lart. Ne të tjerët gishtin në kokë. Sepse kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi.
Na falni për dëshpërimin.
Jemi mirënjohës për besimin dhe përkushtimin tuaj, sepse jeni ju që e mbani Lidhjen Demokratike të Kosovës gjallë e të fortë.
Prej se jam aktive në politikë, ambicia ime e vetme ka qenë të jem në shërbim të qytetarëve, në rritjen e LDK-së dhe në interes të shtetit.
Së bashku nuk do të ndalemi. LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip!
/HisariOnline/