Lidhja Demokratike e Kosovës hapi fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme, me ç’rast u prezantuan edhe 110 kandidatët për deputetë të LDK-së, me bartësin e listës Lumir Abdixhiku, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër i këtij subjekti politik. Në këtë tubim u premtua mbështetje për të gjithë qytetarët, nga foshnjat e deri te pensionistët.
Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku derisa tha se në këtë periudhë vendit i duhet drejtim i ri politik premtoi 2400 euro në vit për nënat e të porsalindurve, 40 euro për çdo fëmijë nga mosha 2 deri në 16 vjeç, çerdhe të reja, mësim gjithëditor në gjithë vendin, trajnime për të rinjtë, punësim më pagë 500 euro për çdo të diplomuar në gjashtë muajt e parë, krijimin e Ministrisë së Familjes, rritje pagash me koeficient 150 në sektorin publik, e rritje të pensioneve.
“Sot kërkohet përgjigje. Sot kërkohet kthesë. Sot kërkohet përgjegjësi. Sot kërkohet shpresë. Dhe shpresë do të ketë! Ky është qëllimi ynë. LDK-ja nuk vjen as me hakmarrje, as me mllef, as me improvizim. Ne vijmë me përvojë, me dije, me maturi, me institucione, me vizion të qartë e të guximshëm. Me një traditë që nuk e ka përdhosur kurrë shtetin dhe me një histori që nuk e ka ndarë kurrë popullin”, theksoi Abdixhiku.
“Koeficienti 150 për 80 mijë të punësuar në shtet do të thotë zhvillim e mundësi, për përballim të çmimeve të larta të rritura në vazhdimësi për pesë vjet, për 80 mijë familje kosovare në vend. Prandaj, sonte u drejtohem mësuesve të Kosovës me zotimin e plotë se nën qeverisjen tonë paga e mësuesit në Kosovë do të jetë plot 1 mijë euro në muaj. Sonte u drejtohem edhe policëve të Kosovës, zjarrfikësve të Kosovës, ushtarëve të Kosovës se paga bazë për ta, me neve në qeverisje, do të jetë plot 900 euro në muaj”, shtoi ai.
Ndërtimi i rrugëve magjistrale, autorrugëve, spitaleve e ndërtimi i termocentralit me gas ishin po ashtu premtimet e LDK-së në këtë tubim.
“Kemi pesë miliardë euro buxhet dhe 5 miliardë euro investime kapitale në Republikën e Kosovës. Do të investojmë menjëherë në unazën e jashtme të kryeqytetit. Do të ndërtojmë dhe centralin e ri me gaz që Kosova të mos blejë e djegë 1 miliardë euro rrymë por ta prodhojmë rrymën vet, centrali me gaz amerikan mbetet prioritet”, nënvizoi Abdixhiku.
Ai premtoi edhe anëtarësim të Kosovës në BE e NATO teksa edhe prezantoi 109 kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës për të cilët tha se të gjithë janë profesionistë të shkëlqyer në fushat e tyre.
/HisariOnline/







