Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se, me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, janë funksionale kutitë postare për votim me postë në 23 shtete të ndryshme për votuesit e regjistruar.
Sipas njoftimit, kutitë postare të KQZ-së janë aktive në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
KQZ bën të ditur se më 14 dhjetor ka nisur procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votues të regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Fletëvotimet janë shtypur në Slloveni dhe kanë arritur në Kosovë të premten, më 12 dhjetor, pas së cilës ka filluar përgatitja e pakove individuale për secilin votues.
Në çdo dërgesë postare është vendosur një numër i veçantë gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve të regjistruar, duke u mundësuar atyre që të përcjellin në vazhdimësi vendndodhjen e pakos me fletëvotim.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. KQZ njofton se pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Njëkohësisht, KQZ i inkurajon votuesit që ta realizojnë votimin sa më herët, në mënyrë që pakot të arrijnë me kohë për t’u dërguar në Kosovë dhe për t’u përfshirë në procesin e numërimit.

/HisariOnline/







