Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve me inicialet D.N. dhe E.Q., të cilët dyshohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë vitit 2022 në dy raste të ndara në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Prokuroria bën të ditur se në të dy rastet, D.N. dhe E.Q., në bashkëveprim, kanë kërkuar dhe pranuar nga 300 euro për secilin rast.
Me këto veprime, ata ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe t’u shqiptohet dënimi plotësues me ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







