Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar përmes një videoje të publikuar në profilin e saj në Facebook qasjen e Kosovës në politikën energjetike, duke hedhur poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar projektin e gazit amerikan.
Ajo theksoi se Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike, ose para gazit amerikan, siç po aludohet.
“Përkundrazi, ne kemi zgjedhur thëngjillin, e burimet e ripërtëritshme të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore, dhe efiçiencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona. E me gazifikim të qymyrit do të shtojmë kapacitete të reja që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje”, ka theksuar Rizvanolli.
Rizvanolli po ashtu mohoi pretendimet se Qeveria e Kosovës është kundër LNG-së nga SHBA-të, duke kujtuar se në vitin 2022 është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë për shfrytëzimin e Termocentralit të Vlorës me LNG.
“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është ‘kundër’ gazit të lëngëzuar nga SHBA-të (LNG), siç thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë me synim bashkëpunimin në termocentralin e Vlorës me LNG. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm; dhe, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”, ka shtuar ajo.
Rizvanolli tha gjithashtu se nuk është e vërtetë që Kosova e ka “refuzuar gazin amerikan” ose “gazsjellësin amerikan” në vitin 2021, teksa ka thënë se diskutimet për këtë do të trajtohen veçmas në një fazë tjetër.
Në pjesën tjetër të deklarimit, ministrja në detyrë theksoi se përballueshmëria e çmimeve mbetet prioritet kyç i politikës energjetike. Ajo tha se Kosova, falë rezervave të qymyrit, ka arritur të mbajë çmime më të ulëta të energjisë elektrike krahasuar me vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë përkundër krizave globale të viteve të fundit.
“Sot, familjet në Shqipëri energjinë elektrike e paguajnë 31% më shtrenjtë sesa ne; ato në Maqedoni të Veriut 30% më shtrenjtë e në Serbi 25% më shtrenjtë. Ne synojmë që Kosova të vazhdojë të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Prandaj edhe LNG-në e konsiderojmë jo si zëvendësim të burimeve tona, por vetëm si një burim shtesë për kohët kur burimet vendore nuk mjaftojnë. Nga analizat që kemi bërë, del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes TC në Vlorë”, ka nënvizuar ajo.
Ajo ritheksoi edhe orientimin pro-perëndimor të Kosovës, duke nënvizuar bashkërendimin e plotë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahjen për reduktimin e ndikimit rus në rajon përmes energjisë.
“Nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të ShBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore. Sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e SHBA-ve për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajon përmes furnizimit me gaz. Shtetet si Serbia, Maqedonia e Veriut ose Bosnja e Hercegovina që kanë infrastrukturë gazi dhe varësi nga gazi rus, patjetër që duhet të zgjedhin mes Rusisë dhe Amerikës. Por, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si ‘anti-amerikan’ ose për të shtruar pyetjen ‘me Rusinë a me Amerikën’ është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë m³ gaz rus. Kosova kurrë nuk e ka zgjedhur Rusinë – as në energji e as në asnjë fushë tjetër”, ka deklaruar Rizvanolli.
Në fund, ajo theksoi se vendimet afatgjata në sektorin e energjisë nuk duhet të trajtohen në mënyrë të ngutshme apo në kuadër të fushatave politike, por me analizë të thellë profesionale dhe në bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët relevantë, duke pasur parasysh interesin afatgjatë të vendit.
“Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë e më të lartë, bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat, ekonomike e politike. Përfundimisht, vendimet do të jenë transparente dhe në përputhje me interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Rizvanolli.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







