spot_img
HomeLajmeHaxhiu: Kosova do të ketë qendër rehabilitimi për të...

Haxhiu: Kosova do të ketë qendër rehabilitimi për të varurit nga droga

spot_img

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogave, OJQ “Labyrinth”, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, organizoi një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, ekspertëve të shëndetit mendor, Policisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi punën shumëvjeçare të organizatës “Labyrinth” në trajtimin dhe mbështetjen e personave me varësi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në adresimin e këtij fenomeni.

Ajo theksoi se abuzimi me substancat narkotike mbetet një nga rreziqet më serioze për rininë në Kosovë, duke kërkuar trajtim të hapur dhe të vazhdueshëm në shkolla, familje dhe institucione.

“Duhet të flasim hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun. Parandalimi fillon me informim të saktë, me psikologë, pedagogë dhe mësimdhënës të trajnuar, si dhe me një qasje që të rinjtë e kuptojnë”, tha Haxhiu.

Ajo paralajmëroi se institucionet janë duke punuar në krijimin e një qendre profesionale për rehabilitimin e personave të varur nga substancat narkotike.

“Republika e Kosovës do të ketë një qendër të rehabilitimit, qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike. Kam marrë zotimet edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe të Ministrisë së Shëndetësisë që kjo qendër do të adresohet. Mendoj që fokusi po ashtu duhet të vendoset te ajo se ku mund të kërkojnë ndihmë personat që janë të varur nga substancat narkotike, si të mbrohen nga presioni i shoqërisë dhe çfarë pasojash sjell përdorimi i substancave narkotike, si dhe të jemi të vendosur ndaj atyre që i shpërndajnë dhe i trafikojnë këto substanca. Të themi hapur se substancat narkotike mund të hyjnë në jetën e një të riu shumë më herët sesa e kupton familja, shkolla apo edhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne kemi këtu edhe përfaqësuesin nga Policia, por sipas asaj që ne kemi parë, numri i rasteve që lidhet me përdorimin dhe posedimin e substancave narkotike mbetet i lartë. Posedimi i substancave narkotike vazhdon të ketë, pra, numrin më të madh të rasteve të cilat janë të regjistruara, por edhe trafikimi paraqitet me numër shqetësues rastesh”, tha ajo.

Haxhiu tha se raportimet për praninë e narkotikëve pranë shkollave janë alarm serioz, prandaj atyre u duhet kushtuar vëmendje.

“Vëmendja duhet t’ju kushtohet shkollave. Nuk e di nëse këtu kemi përfaqësues nga Ministria e Arsimit apo Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës, sepse raportimet e vazhdueshme për praninë apo shitjen e substancave narkotike pranë shkollave janë alarm serioz për të gjithë ne. Unë e di që ata që janë prindër e dinë shumë mirë se për çfarë po flas, sepse rreziku po afrohet te dera e shkollës, prandaj kjo kërkon vëmendje të madhe dhe veprime të menjëhershme. Parandalimi fillon me informim të saktë, me psikologë, me pedagogë, me mësimdhënës të trajnuar, me prindër dhe me një gjuhë që të rinjtë na kuptojnë, sepse nganjëherë vetëm e shohim se flasim kot kur e sheh që fëmija thjesht nuk e kupton ose nuk e pranon atë që i thua. Prandaj, edhe si prindër duhet ta kuptojmë cila është qasja më e drejtë që duhet ta adresojmë tek fëmijët. Pra, nëse të rinjtë dëgjojnë për drogat vetëm nga rruga, nga rrjetet sociale apo nga ata që përfitojnë prej tyre, institucionet nuk do të mund të ndikojnë. Pra, kjo qasje apo kjo çështje kërkon organizim dhe mobilizim të gjerë shoqëror; secili institucion duhet ta kryejë pjesën e vet, përgjegjësinë e vet”, u shpreh Haxhiu.

Duke folur për varësinë, U Haxhiu tha se personi i varur nga substancat narkotike nuk duhet të trajtohet si kriminel apo trafikant, por si njeri që ka nevojë për trajtim, mbështetje dhe rehabilitim në shoqëri.

“Kriminel është ai që e shfrytëzon dobësinë e tij, që e furnizon, që e shtyn më thellë në varësi dhe që përfiton”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se shoqëria dhe institucionet duhet të jenë të pakompromis ndaj trafikantëve dhe me kujdesin më të madh ndaj personave që kanë nevojë për ndihmë.

Në këtë tryezë u diskutua edhe për sfidat në trajtimin e varësive dhe nevojën për forcimin e programeve parandaluese, të cilat sipas ekspertëve mbeten të pamjaftueshme në Kosovë.

Drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, theksoi se përdorimi problematik i drogave është në rritje dhe se kapacitetet e vendit për trajtim dhe parandalim mbeten të kufizuara.

Ai kërkoi fuqizim të programeve parandaluese dhe përshpejtim të krijimit të qendrave të specializuara për rehabilitimin e përdoruesve të substancave narkotike, duke paralajmëruar se situata kërkon veprim të shpejtë institucional.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë vlerësuan nevojën për koordinim më të madh institucional dhe shoqëror në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave në Kosovë.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img