Bosnja dhe Hercegovina ka siguruar zyrtarisht kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, duke u bërë ekipi i parë që avancon nga pozita e tretë në grup.
Boshnjakët vulosën vendin e tretë në Grupin B pas fitores 3-1 ndaj Katarit, duke e mbyllur fazën e grupeve me katër pikë. Ky bilanc ka rezultuar i mjaftueshëm për ta renditur ekipin mes tetë vendeve të treta më të mira që sigurojnë kalimin në raundin e 32 skuadrave.
Megjithëse kishte ende disa ndeshje për t’u zhvilluar në grupet e tjera, rezultatet e deritanishme kanë konfirmuar matematikisht avancimin e Bosnjës, e cila momentalisht kryeson renditjen e vendeve të treta që kanë siguruar kualifikimin.
Sipas formatit të ri të Kupës së Botës 2026, tetë ekipet më të mira që përfundojnë në vendin e tretë kalojnë në fazën me eliminim direkt, ku do të përballen me fituesit e grupeve.
Tashmë Bosnja pret të mësojë kundërshtarin e saj në raundin e ardhshëm. Një nga skenarët më të mundshëm është një përballje me SHBA-në, fituesen e Grupit D, megjithëse kundërshtari përfundimtar do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve të fazës së grupeve.
Kualifikimi i Bosnjës përbën një sukses historik për kombëtaren ballkanase, e cila në pjesëmarrjen e saj të dytë siguron avancimin për më tej.







