Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se janë ndërmarrë masa të menjëhershme pas një dyshimi për cilësinë e produktit medicinal “Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml”, i përdorur në Spitalin e Mitrovicës.
Sipas SHSKUK-së, pas njoftimit nga farmacistja përgjegjëse e barnatores së Spitalit Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, është ngritur dyshimi se produkti mund të mos ketë qenë brenda specifikave të përcaktuara.
Në bashkëpunim me Agjencinë për Pajisje dhe Produkte Medicinale të Kosovës (AKPPM), dhe Inspektoratin Farmaceutik, më 17 qershor 2026 është kryer inspektimi në barnatoren e spitalit, ku është verifikuar gjendja e raportuar.
Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e 1,432 njësive të këtij produkti deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe vlerësimeve profesionale.
SHSKUK thekson se natyra e gjetjeve do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe se opinioni publik do të njoftohet me rezultatet zyrtare.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







