Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, mori vendimin që të rikthehet garës për depuete, duke u rikthyer në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe duke qenë madje bartëse e kësaj liste.
Nga rezultatet e 7 qershorit, pas përfundimit të numërimit të 100 për qind të fletvotimeve, duke mos llogaritur rinumërimin, del që Vjosa Osmani është kandidatja më e votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ajo mori 92 mijë e 239 vota, saktësisht 8 mijë e 345 më shumë se numri 2 në listë dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Por, Osmani ndonëse ka arritur një rezultat impresiv për vete, kjo s’ka ndodhur me shumicën e kandidatëve që ajo i mori në LDK.
Nga 10 kandidatët që ajo i solli në listën e LDK-së, vetëm një ka arritur që të sigurojë votat e mjaftueshme për deputet.
Bëhet fjalë për Albena Reshitajn, e cila dikur ishte faktori që e zgjodhi presidente Vjosa Osmani dhe shmangu zgjedhje të reja.
Reshitaj ka siguruar 19,613 vota, duke u ndodhur në listën e 18-es së kandidatëve të LDK-së që kanë fituar mandat, ndërsa ajo u rendit e 16-ta në listë.
Ish-deputetja e grupit parlamentar të LVV-së, e kishte lënë Guxo-n për t’iu bashkuar Osmanit me numrin 7 në listë.
Të njëjtin sukses nuk e patën ish-deputetët Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, të cilët gjithashtu iu bashkuan Osmanit në LDK.
Jeta Statovci për pak nuk arriti të futej në Kuvend, pasi numërimi i votave me postë ia hoqi LDK-së një mandat. Ajo ka marrë 15,874 vota.
Haxhi Avdyli ka marrë 8,110 vota, duke mbetur gjithashtu jashtë Kuvendit.
Edhe emra të tjerë që iu bashkuan Osmanit në LDK në këto zgjedhje, nuk arritën të zgjidheshin deputetë. Ndër ta, Fahrije Hoti, Arjeta Musliu, Bardhyl Hasanpapaj, Visar Xani, Besim Kodra, Brikena Muharremi, Kreshnik Çollaku e Lulzim Zeneli.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







