Gjykata Supreme e Kosovës të hënën ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe ka vendosur pezullimin e procedurës së gradimit në Policinë e Kosovës, e cila ishte shpallur më 28 maj 2026 mbi bazën e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, tha për Ekonomia Online se Gjykata me këtë vendim ka parandaluar ndërhyrjet politike brenda Policisë së Kosovës.
“Qartësisht gjykata në këtë rast e ka shpëtuar policinë, respektivisht e ka mbrojtur policinë nga një ndërhyrje edhe politike edhe e padrejtë, edhe e gabueshme për strukturën e policisë. Ka qenë e habitshme fakti dhe mënyra sesi është nxjerrë ai udhëzim administrativ në ditët e fushatës kur praktikisht kishte filluar fushata zgjedhore edhe me arsyetimin se policia s’ka pasur 10 vite proces gradimi, thu që këta individë nuk janë në udhëheqje të policisë dhe të ministrisë e qeverisë që 6 vitet e fundit dhe si e tillë është fatkeqësi, sa herë që tentohet që përmes ndërhyrjeve të tilla të dëmtohet policia së brendshmi dhe të dëmtohet struktura e policisë dhe përshëndes aktvendimin e Gjykatës Supreme me shpresën që askush më nuk do të nxjerrë udhëzime të tilla që janë edhe jo profesionale edhe të dëmshme edhe abuzuese”, u shpreh ai.
Ramadani deklaroi se kalimi i gradave pa meritë dhe pa një proces zinxhiror, përbën shkelje si ligjore ashtu edhe profesionale.
“Është krejt qartësisht që nuk ka bazë ligjore për një udhëzim të tillë, respektivisht për me e thjeshtësu, këta kanë dashur që përmes një udhëzimi t’i kalojnë gradat për persona që ata duan vetë, me i kalu gradat prej policit në toger automatikisht, ose me një lloj vendimi, i cili është edhe shkelje profesionale, edhe shkelje ligjore, por mbi të gjitha e dëmton policinë, sepse gradat nuk kalohen në polici, askund në botë në vendet demokratike, nuk kalohen pa meritë dhe pa një proces zinxhiror, për të cilin policia e dinë, unë e kuptoj që qeveria nuk e din, apo ka qëllime partiake, por jam habitur me drejtorin e policisë që e ka pranuar këtë dhe e ka përkrahur një udhëzim të tillë, të cilin në fund të fundit doli anti ligjor, sepse gjykata nuk ka se si ta pranojë një udhëzim të tillë, i cili edhe i demotivon policët, zyrtarët policorë të Kosovës, edhe i dëmton ata në karrierë dhe mbi të gjitha mos të harrojmë se në vitin 2024, më 9 korrik, policia është detyruar ta anulojë një konkurs për gradën rreshter, për shkak se ka pasur abuzim jashtëzakonisht të madh, pra keqpërdorim të konkursit dhe procesit të testimit, inspektorët policorë kanë dalë me gjetje dhe policia është detyruar ta anulojë, e sot e asaj dite, pra 2 vite prapa, askush s’ka dhënë përgjegjësi për ato shkelje”, tha ai.
Sipas Ramadanit, brenda Policisë së Kosovës janë tentuar të bëhen ndërhyrje partiake.
“Është qartë dhe dukshëm, është tentuar të partiazohet policia, që përmes vendimeve partiake në qeveri, apo në komitete partiake të zbatohen brenda Policisë së Kosovës, me gradime, në bazë të një udhëzimi jo ligjor, të cilin edhe gjykata e ndaloi së zbatuari”, tha ai.
Gjykata Supreme ka sqaruar se ky vendim është marrë vetëm në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon epilogun përfundimtar të padisë. Vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 do të merret pas shqyrtimit të plotë të rastit në procedurën gjyqësore përkatëse.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







