Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve të dyshuar për përfshirje në një rast të vrasjes së rëndë që ndodhi më 14 qershor në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi deri më 14 korrik 2026 është caktuar ndaj Sh.O., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe ndaj A.O., e dyshuar për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj, Sh.O. dhe i mituri A.O., pas një konflikti të mëhershëm dhe mosmarrëveshjeve mes palëve, fillimisht janë përfshirë në një konflikt verbal dhe më pas fizik me viktimën A.O. dhe të dëmtuarin I.O. Dyshohet se gjatë përleshjes janë përdorur mjete të mprehta – thika, me ç’rast viktima A.O. ka pësuar plagë vdekjeprurëse në gjoks dhe ka humbur jetën, ndërsa I.O. ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Gjykata ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se veprimet e të dyshuarve janë kryer të shtyrë nga A.O., e cila sipas hetimeve fillestare dyshohet se ka nxitur kryerjen e veprës penale.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerësoi se ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë apo në prova, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Po ashtu, është vlerësuar se pesha e veprave penale dhe rrethanat e kryerjes së tyre krijojnë rrezik për përsëritjen e veprave të ngjashme nëse të dyshuarit lirohen.
Gjykata theksoi se këto janë vetëm dyshime të bazuara në këtë fazë të procedurës dhe se përgjegjësia penale e të pandehurve do të vlerësohet gjatë fazave të mëtejme të procesit gjyqësor.
Ndërkaq, më 15 qershor 2026, Departamenti për të Mitur i Gjykatës Themelore në Prizren i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji edhe të miturit A.O., i cili dyshohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







