Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 09:00 të ditës së sotme është përmbyllur procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në 13 komuna të vendit: Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri tani janë procesuar 1,379 nga 2,498 vendvotime në të gjithë vendin, ose 55.20 për qind e numrit të përgjithshëm.
“Procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 25 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë komunat me numrin më të madh të vendvotimeve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Peja, Gjilani dhe Podujeva”, tha Elezi.
Ai shtoi se rezultatet e secilit vendvotim publikohen menjëherë pas përfundimit të numërimit dhe verifikimit. “Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, rezultatet transmetohen në platformën zyrtare të rezultateve, duke mundësuar publikimin e tyre në kohë reale”, theksoi ai.
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i formularëve të rezultateve po zhvillohet në kuadër të administrimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendi i Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







