Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s, e cila parashikon që nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e mirëpret këtë zhvillim, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Sipas raportit konsultativ të ZRrE-së, kjo marrëveshje mundëson që të shmanget rritja e tarifave të energjisë elektrike”, deklaroi ajo.
Ministrja gjithashtu falënderoi të gjitha palët e përfshira për angazhimin e tyre, duke theksuar se gjatë këtij viti do të vazhdojnë investimet në KEK, konkretisht në dy termocentralet, me qëllim rritjen e prodhimit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre.
Sipas saj, këto zhvillime kontribuojnë në ruajtjen e përballueshmërisë së çmimeve për qytetarët dhe bizneset në vend.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







