Nënkryetari aktual i Prishtinës dhe ish-deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj ka qenë mysafiri i radhës i ftuar në emisionin “Fjala dhe Faktet” te HisariOnline me profesor Fadil Bytyçin.
Manaj ka rrëfyer për aktivitetin e tij politik përgjatë gati dy dekadave, ndërsa ka folur edhe për gjendjen aktuale në LDK.
Manaj është pyetur për rënien e partisë së tij nga një parti shtetformuese dhe e parë dikur në vend e cila tani ndodhet e treta dhe ka rënë në 13%.
“Mendoj që Lidhja Demokratike e Kosovës në faza të caktuara ka bërë gabime dhe ne duhet t’i pranojmë ato gabime dhe mendoj që këto gabime të udhëheqësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ndikuar që një pjesë e elektoratit të LDK-së pastaj ose të largohen nga partia ose të pasivizohet e të mos marrë pjesë në zgjedhje. Prandaj ne duhet që të bëjmë analiza të thella në mënyrë që të ndërtojmë vizionin dhe këtë vizion ta ndërtojmë mbi bazamentin e programit themeltar të presidentit Ibrahim Rugova, sepse në këtë vizion Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shtratin e vet dhe vetëm në këtë vizion mendoj që duhet dhe do të kthehet fuqimisht, por normalisht duke iu përshtatur edhe rrethanave të kohës. Ka ardhur momenti që LDK-ja të përbashkohet, në periudha të caktuara personalitete të shquara të LDK-së kanë dalë prej partisë në forma të ndryshme por mendoj që ka ardhë një moment kur LDK-ja duhet t’i hapë dyert, por t’i hapë dyert përnjëmend, jo vetëm sa për ta thënë dhe që të gjithë këto figura dhe figurat e reja që do t’i bashkangjiten LDK-së, ta kthejnë partinë në vendin ku e meriton si partia e parë në vend. Edhe tash jemi duke bërë përpjekje të tilla. Kryetari i LDK-së e ka filluar një platformë të re dhe është duke bërë angazhim të jashtëzakonshëm që t’i takojë të gjithë këto figura, në mënyrë që të gjithë të bëhen pjesë e proceseve që do të vijnë së shpejti në vend”, u shpreh Manaj.
Më poshtë intervista e plotë:
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







