Gjeneral Gëzim Hazrolli ka qenë mysafiri i radhës i ftuar në emisionin “Fjala dhe Faktet” te HisariOnline me Fadil Bytyçin.
Hazrolli, si një komandant i Brigadës 123 në kohën e luftës, ka dhënë shumë detaje nga aspekti i organizimit dhe strukturimit të kësaj zone.
“Ka qenë me të vërtetë një krenari që të luftohet, një krenari që të kem bashkëluftëtarë shumë heronjë të Kosovës sot, por mbi të gjitha edhe shumë figura që udhëheqin dhe kanë udhëhequr me dikastere shumë të rëndësishme edhe pas luftës. Unë pata që të vij në Breshanc të Suharekës, komanda e Brigadës 123 me gjithë ata bashkëluftëtarë që erdhën, gjetëm një organizim të jashtëzakonshëm për kohën, sepse UÇK i kishte pësu faktikisht disa vështirësi të kohës pas ofanzivës së parë që quhej, por mbi të gjitha kishte një organizim të atyre kapaciteteve që kanë qenë, dhe me arritjen tonë dhe pas një rehabilitimi filluam të njohim terrenin, të fillojmë organizimet në fshatra, të fillojmë ndërtimin e kapaciteteve të Brigadës 123, batalalioneve, kompanive, togjeve, skuadrave, dhe të mos lëmë asnjë pjesë pa e prekur dhe të mbulojmë gjithë territorin. Për një kohë shumë të shkurtër dhe për fat të mirë kishim kohë disa ditë të riorganizoheshim, ne kemi arritë kapacitete të jashtëzakonshme, kemi arritë mbi 2000 luftëtarë, jo të gjithë të armatosur por me një vullnet të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha ndërtuam strukturën e Brigadës dhe kishim një mundësi të jashtëzakonshme që të fillojmë të mbulojmë të gjitha ato zbrazëtirat ku mund të kërcënoheshim prej armikut serb. Organizimi i Brigadës, siç e dini është bërë me dy batalione në rajonin e përgjithshëm, Nishor, fshatrat tjera Peçan, Semetisht, Dobërdelan, Samadraxhë dhe fshatra tjera përreth, dhe një batalion e kemi pasë nga pjesa e Budakovës. Ka qenë një territor që s’paku në bazë të shtrirjes gjeografike që ka mbulu një Brigadë të UÇK-së dhe ka qenë ndër brigadat më të mëdha në numër. Në këtë aspekt ka pasur edhe specifikat e veta për shkak të komunikacionit Prizren-Suharekë-Prishtinë, që jemi shkëput me batalionet, batalionin e parë dhe dytë në rajonin e Semetishtit, Studençanit dhe Samadraxhës batalionin e dytë, dhe batalionin e tretë e kemi pasë nga pjesa e Budakovës që e kemi pasë jo të lehtë edhe komunikimin por edhe bashkëveprimin e kohës, por mendoj që kemi tregu një organizim të mirëfilltë që nuk kemi pasë asnjëherë probleme të aspektit edhe të mbështetjes logjistike por edhe të aspektit të ndërveprimit të kapaciteteve që kanë qenë në atë pjesë”, deklaroi Hazrolli.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







