Ish-komandanti i Brigadës 123 në luftë, Gëzim Hazrolli ka qenë mysafiri i radhës i ftuar në emisionin “Fjala dhe Faktet” te HisariOnline.
Ndërsa ka folur për Betejën e Semetishtit, duke e cilësuar si njërën nga betejat më të njohura, Hazrolli ka përmendur edhe disa nga luftëtarët që ranë dëshmorë në atë betejë.
“Kemi humbur bashkëluftëtarë, shumica prej tyre edhe nuk janë të Suharekës, filluar nga Milazim Kiqina, Enver Bytyqi, Ramë Bytyqi, Haxhi Haxhaj, Xhavit Syla, kemi kulminacionin e humbjes që ka pasë një ndenjë të jashtëzakonshme, dhe gjithashtu rënia e ushtar kavajës, Indrit Carës”, deklaroi Hazrolli.
Hazrolli u ndal specifikisht te Indrit Cara, duke rrëfyer me mallëngjim sakrificën që kishte bërë për t’iu bashkuar ushtrisë dhe për të kontribuar në luftën për çlirim.
Gjeneral Hazrolli ka deklaruar se Indrit Cara është një model i jashtëzakonshëm i luftëtarit, i cili me origjinë nga Kavaja, la Londrën për t’iu bashkuar luftës, ku më pas ra heroikisht në Betejën e Semetishtit me 31 mars.
“Indrit Cara ka qenë një figurë e jashtëzakonshme, një figurë që ngërthen në vete një model të jashtëzakonshëm të luftëtarit që ka lënë Londrën dhe iu është bashkangjit luftës së UÇK-së përmes Shqipërisë që ka ardhë, ka shku në familje, ka taku prindërit pas 6 viteve me pesë apo gjashtë orë, siç e tregonte xha Luli, babai i Indritit…dhe iu ka thënë prindërve që po shkon si gazetar deri afër kufirit që të ndihmojë forcat aleate ose disa pjesëtarë të OSB-se atë kohë dhe është fut në luftë.
“Indrit Cara nuk ka qenë i sistemum në brigadën tonë, Indrit Cara një ditë më herët ka ardhë për të ndihmu luftimet në Betejën e Semetishtit dhe ka pasur fatin që të goditet nga granada dhe ka ndërru jetë”, u shpreh Hazrolli.
“Indrit Cara është një model i jashtëzakonshëm që duhet të mësohet në shkollat ushtarake, duhet të mësohet një figurë e tillë e jashtëzakonshme, një figurë që ka përfundu shkollën Skënderbeu, një figurë e ngjashme me jetën time që kam kalu..edhe Indritit iu është dashur që të largohet në gurbet, ngjashëm sikur unë atë kohë, por mbi të gjitha atë ditë kur ka ardhë kur e kam taku faktikisht Indritin dhe ia kam dhënë detyrat, unë s’e kam ditë kush është Indriti, në fakt e kam kuptu ma vonë, por thjesht takimi i parë me të dhe diskutimi i shkurtër, përshkrimi i veprimeve luftarake dhe dhënia e detyrës që të shkojë dhe të ndihmojë pjesën e Gallushës ka qenë domethënë një marrje e detyrës prej ushtaraku, dhe ka qenë një ndihmesë e jashtëzakonshme e pjesës ku kemi qenë sepse Gallusha ka qenë e goditur pandërprerë edhe prej artilerisë por edhe njësive të këmbësorisë të njësive speciale faktikisht, të brigadës 549 të ushtrisë serbe, por mbi të gjitha ka qenë një vullnet i jashtëzakonshëm për luftëtarët që kanë qenë në atë pjesë dhe në kontekst të saj, po, është një prej figurave të veçanta të UÇK-së, një dëshmor i modelit të veçantë, por mbi të gjitha edhe një dëshmor që ka lënë një jetë faktikisht të ndërtume jashtëzakonsht të nivelit të lartë në Londër dhe ka ardhë iu është bashkangjit luftës dhe mbi atë unë faktikisht kam pasë një lidhje emocionale me figurën e tij dhe kam pagëzu djalin e parë që më ka lind me emrin e tij”, u shpreh tutje Hazrolli.
Më poshtë intervista e plotë:
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







