Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, ka njoftuar se i ka adresuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe u. d. të presidentes, Albulena Haxhiu, për të cilat, sipas tij, ende nuk ka marrë përgjigje, duke paralajmëruar edhe protestë.
Ai në një konferencë për medie sqaroi për kërkesat e dërguara dhe mungesën e përgjigjes nga institucionet.
“Deshëm t’ju njoftojmë edhe ju, por edhe opinionin publik, se ne diku me datën 20 shkurt i kemi dërguar një kërkesë zotëri Albin Kurti edhe zonjës Albulena Haxhiu. Në fakt është një kërkesë që ka tri kërkesa të tjera brenda kësaj kërkese. Bëhet fjalë për njëra që është më e rëndësishmja për ne është hartimi dhe miratimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej kësaj date, pra 20 shkurt të 2026-ës, nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, qoftë eventualisht edhe për një takim të mundshëm me krerët e këtyre dy institucioneve. E prandaj, ju bëjmë me dije se ne kemi dalë, kemi diskutuar me të gjitha strukturat tona, pra degët tona që i kemi nëpër të gjithë vendin, edhe kërkojmë nga këtu, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, që urgjentisht të marrë hapat e parë drejt fillimit të hartimit të këtij ligji, pra, dhe miratimit të këtij ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të UÇK-së sa më parë”, tha ai.
Syla tha se nëse nuk ndërmerren hapa konkretë dhe të menjëhershëm për adresimin e këtyre kërkesave legjitime dhe për përmirësimin e statusit të veteranëve dhe se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të detyrohet të ndërmarrë veprime konkrete, përfshirë organizimin e protestave.
“Ju e dini që prej pasluftës, ne si organizatë e veteranëve të luftës, po edhe shoqata të tjera, i kemi cekë këto probleme që i kemi me këta njerëz të cilët ofendojnë luftën tonë çlirimtare prej pasluftës, por kjo logjikë e të menduarit të këtyre njerëzve veçse është rritë, e po rritet vazhdimisht kohëve të fundit. Prandaj, edhe me strukturat tona që kemi diskutuar nëpër të gjitha degët tona, kemi marrë vendim që në qoftë se Qeveria e vendit tonë, Parlamenti i vendit tonë, nuk merr iniciativë për hartimin e këtij ligji, neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të dalim në rrugë dhe të protestojmë për këto të drejta që na takojnë. Kjo ka qenë ideja e ftesës sot për ju, prandaj edhe njëherë e përsërisim në qoftë se nuk do të reflektojnë dy institucionet e vendit tonë, Qeveria dhe Parlamenti, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji, do të jemi të gatshëm të dalim të protestojmë për këtë të drejtë që na takon”, pohoi ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







