Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti për importin e energjisë elektrike.
Ai ka bërë me dije se për pesë vite të popullistëve, Kosova ka importuar plot 811 milionë euro energji elektrike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai iu ka dhënë mbështetje zyrtareve të LDK-së që janë marrë vazhdimisht me këtë çështje.
“Ndërkohë që të tjerët merren me tema krejtësisht të parëndësishme për vendin, dy gra të forta të LDK-së, Hykmete dhe Janina, po merren me atë që është vërtet e rëndësishme: me skandalin e madh të mafias energjetike, me zinxhirin e përfituesve të saj, me Vuk Hamovićin në krye.Në Konferencën e sotme, ato shpalosën qartë skandalin e madh energjetik në vend, që po gërryen fundamentet ekonomike të Republikës. Ky skandal duhet të jetë shqetësimi i sotëm politik; jo fyerjet që nuk sjellin asgjë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Për pesë vite të popullistëve, Kosova ka importuar plot 811 milionë euro energji elektrike. Vetëm gjatë këtij viti, janë djegur 247 milionë euro për blerje të rrymës. Po i afrohemi një miliard eurove import të rrymës; vendi më i varfër në Evropë. Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve. Një miliard euro që ka shkuar drejt një skeme të errët, të pafalshme, nga e cila fiton mafia energjetike e humb qytetari i Kosovës”, ka shkruar ai.
/HisariOnline/







