Lideri i ri i Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani do të luajë nesër ndaj KF Prishtina e Re në duelin që i përket xhiros së 16-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
‘Portokallinjtë’ do të presin skuadrën kryeqytetase në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë, duke filluar nga ora 13:00.
Trajneri i ri i suharekasve, Mislan Karoglan e ka nisur mbarë aventurën e tij me Ballkanin duke fituar dy ndeshjet e para në stolin portokalli.
Tekniku kroat debutoi me fitore fundjavën e kaluar duke triumfar në derbin ndaj Dritës me rezultat 3-2, për ta marrë lidershipin në tabelë, ndërsa në mesjavë udhëhoqi skuadrën drejt fitores tjetër në Kupën e Kosovës, duke e mposhtur KF Rilindjen dhe kualifikuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni.
Ballkani është lider i Superligës pas 15 xhirove, 26 pikë, ndërsa Prishtina e Re ndodhet në pozitën e fundit tabelare, me vetëm 12 pikë të mbledhura.
/HisariOnline/







