KB Golden Eagle Ylli do të udhëtojë sonte në kryeqytet, ku do luajë ndaj KB Borës, në duelin hapës të javës së 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja do të zhvillohet në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.
Ndërsa Bora ka siguruar tashmë pozitën e tretë dhe do të luajë më shumë për prestigj, Golden Eagle Ylli ndërkohë po lufton me Pejën për pozitën e katërt, për të fituar terrenin vendas në sfidat çerekfinale.
E përpara këtij dueli, ka një risi në krye të shtabit drejtues te Golden Eagle Ylli.
Pas humbjes ndaj KB Bashkimit fundjavën e kaluar, klubi suharekas mori vendimin për ta shkarkuar trajnerin spanjoll, Paco Olmos. Pak më vonë, klubi njoftoi se nuk e ka ndërmend të emërojë ndonjë trajner të huaj si zëvendësues së tij dhe se asistenti i deritashëm, Endrit Elshani do të marrë timonin e klubit.
Kjo nuk do të jetë diçka e panjohur për teknikun suharekas, pasi edhe më herët këtë sezon ai kishte marrë drejtimin e klubit për një kohë.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Golden Eagle Ylli shkarkoi trajnerin grek, Fotis Takianos për shkak të rezultateve të dobëta në fillimin e sezonit, ndërsa Elshani mori përkohësisht drejtimin e klubit deri në emërimin e mëpasshëm të Paco Olmos.
Gjatë periudhës së parë, Endrit Elshani regjistroi një rekord mbresëlënës, duke pasur bilanc 100% të fitoreve, me katër fitore në po aq ndeshje të drejtuara.
Elshani fillimisht udhëhoqi klubin drejt një fitore të madhe ndaj KB Trepçës në Mitrovicë, në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa arriti edhe tre fitore të tjera radhazi më pas në Superligë, duke mposhtur skuadrat Bashkimi, Prishtina dhe Peja.
Ndërsa Golden Eagle Ylli emëroi më pas trajnerin Paco Olmos, Elshani ia dorëzoi ‘shtafetën’ spanjollit me kokën lartë, duke lënë një ‘trashëgimi’ po aq të shkurtër sa edhe të suksesshme – vetëm tani për t’i ardhur radha sërish që të tentojë të vazhdojë aty ku e kishte lënë – fitoret.
Teksa kanë mbetur edhe dy xhiro të fundit të sezonit të rregullt, përpara fazës së play-off, Elshani synon të mbyllë stinorin në mënyrën më të mirë të mundshme, siç është bilanci perfekt i fitoreve në krye me Golden Eagle Ylli dhe sigurimi i pozitës së katërt duke e fituar përparësinë e terrenit vendas në çerekfinalet vijuese në play-off.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







