Arbërie Nagavci, shefje e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se do të vazhdojnë konsultimet me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në konferencën për media, ajo tha se kryeministri Albin Kurti do të vijojë diskutimet me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nagavci u shpreh se pritjet janë për një marrëveshje politike që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit pa shkuar në zgjedhje të reja.
“Kryeministri Kurti tashmë e ka bërë të ditur që do të vazhdojë diskutimet me krerët e partive opozitare, në rast të PDK-së dhe të LDK-së. Ne besojmë dhe presim që të ketë një marrëveshje dhe të arrijmë të zgjedhim presidentin”, tha ajo.
Nagavci tutje shtoi se zgjedhjet e reja do të ishin të panevojshme dhe të padrejta, duke theksuar se ende ka deputetë që nuk kanë dhënë nënshkrimet për këtë proces.
“Janë së paku 44 deputetë të tjerë të cilët akoma nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre për të zgjedhur presidentin”, tha pos tjerash Nagavci.
Sipas saj, nëse paraqitet nevoja për një qasje tjetër drejt arritjes së konsensusit, kjo çështje do të trajtohet pas diskutimeve konkrete ndërmjet palëve politike.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







