Kombëtarja e Kosovës arriti mbrëmë ndoshta fitoren më të madhe në histori të përfaqësueses, duke e mposhtur në gjysmëfinale të Play-Off kombëtaren e Sllovakisë.
‘Dardanët’ triumfuan me rezultat 4-3 në Bratisllavë, duke siguruar kështu kalimin në finale të Play-Off të Kupës së Botës 2026.
Kësisoj, kombëtarja e Kosovës tani ndodhet një fitore larg një pjesëmarrje në Botërorin në Amerikë, ndërsa pengesën e fundit do ta ketë kombëtaren e Turqisë, të martën në “Fadil Vokrri”.
Kur jemi te ndeshja e mbrëmshme kur Kosova regjistroi këtë arritje të madhe, duhet veçuar edhe sasia e golave të cilët dardanët realizuan në portën kundërshtare.
Plot katër gola brenda 90 minutave, ndërsa Sllovakia përpara kësaj ndeshje gëzonte një rekord tejet impresiv të portave të paprekura në duelet pranë shikuesve të vet.
Përpara natës së mbrëmshme, Sllovakia ishte në një seri prej pesë ndeshjesh pa pranuar gol në Bratisllavë, një seri që nëse përkthehet në ditë, i bie plot 531 ditë pa pranuar një gol në një ndeshje kompetitive në shtëpi.
Hera e fundit kur ata kishin pranuar gol në shtëpi, ishte në një barazim 2-2 ndaj Suedisë më 11 tetor 2024.
Që atëherë, ata ishin përballur me Estoninë, Slloveninë, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Irlandën Veriore, duke mbajtur portën e paprekur në të gjitha këto ndeshje.
E mbrëmë, Kosova ia theu këtë seri pozitive sllovakëve, madje jo duke ia shënuar një, por plot katër të tillë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







