Në përkujtim të Epopesë së Dukagjinit, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë homazhe në Gllogjan në nderim të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për liri. Ai e ka vlerësuar këtë ngjarje si një ndër momentet më të lavdishme të historisë.
“Më 24 mars 1998, forcat okupatore serbe rrethuan Gllogjanin me synimin për ta shuar rezistencën e armatosur. Por luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmuan se nuk ka rrethim, nuk ka forcë dhe nuk ka pushtues që mund ta ndalë një popull të vendosur për liri”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes, thotë se beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.
“Beteja e Gllogjanit pasoi betejën te Gjashtë Lisat në Likoshan, më 28 shkurt, si dhe qëndresën heroike e të lavdishme të Jasharajve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo ishte rruga jonë e vetme për t’i dhënë fund sundimit dhe shtypjes shekullore të Serbisë fashiste. Ishte një luftë e drejtë, e pastër dhe e shenjtë për liri. Përballë nesh ishte një makineri gjenocidale; përballë tyre qëndronte një popull që luftonte për të jetuar i lirë”, la vijuar Maqedonci
Sipas tij, drejtësia e kauzës solli edhe mbështetjen ndërkombëtare. “Pikërisht më 24 mars 1999, një vit pas betejës së Gllogjanit, filloi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe — moment historik që bashkoi sakrificën tonë me ndërgjegjen e botës demokratike”, shtoi ai.
Maqedonci thotë se dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri janë themeli i Republikës sonë. “Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por obligim i përhershëm për ta ruajtur lirinë, shtetin dhe dinjitetin tonë kombëtar”.
Sot, thotë ministri i Mbrojtjes, mbi këtë histori sakrifice dhe qëndrese, Republika e Kosovës ka ndërtuar dhe fuqizuar ushtrinë e saj, një ushtri moderne, profesionale dhe e gatshme, garanci për mbrojtjen e territorit, për paqen dhe stabilitetin, dhe garanci se gjenocidi i viteve 1998-1999 nuk do të përsëritet më kurrë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







