Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit senatoren amerikane Joni Ernst, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me anë të një njoftimi në facebook, shefi i ekzekutivit në detyrë e ka cilësuar mysafiren si një nga mbështetëset e mëdha të Kosovës dhe një prej avokueseve më të zëshme të vendit në Kongresin amerikan.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për progresin e Kosovës në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.
Një nga temat kryesore ka qenë edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë. Kurti ka deklaruar se Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake amerikane.







