Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka bërë të ditur se po menaxhon një situatë me raste të dyshuara të helmimit nga ushqimi, ku deri tani janë hospitalizuar 31 pacientë.
Sipas njoftimit, gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë. Pas ekzaminimeve dhe analizave të detajuara laboratorike, në 11 raste është konfirmuar prania e bakterit Salmonella Enteritidis.
Ekipi mjekësor ka njoftuar se të gjithë pacientët e shtruar po marrin trajtimin e nevojshëm dhe se gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet.







