Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ndërpresë të gjitha angazhimet lidhur me formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të partisë.
Ai ka thënë se zhvillimet e fundit brenda LDK-së e kanë detyruar të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, deklaroi ai.
Abdixhiku ka vlerësuar se në rrethanat aktuale nuk do të ishte serioze dhe as e përgjegjshme që të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, derisa mandati i tij për drejtimin e partisë është vënë në diskutim brenda subjektit.
“Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, u shpreh ai.
Por, ai tha se nuk do ta mbajë asnjë pozitë kundër vullnetit të shumicës.







