Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë masën e përkohshme për rregullimin e çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas ministrisë, vendimi është marrë pas analizës së tregut, e cila tregon se çmimet e importit nuk kanë shënuar ulje, ndërsa uljet në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohen plotësisht në tregun vendor.
Me vendimin e ri, marzha maksimale e shitjes me shumicë do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa ajo e shitjes me pakicë 12 eurocentë për litër mbi çmimin mesatar të furnizimit.
MINTI ka bërë të ditur se zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga institucionet përgjegjëse, ndërsa subjektet që nuk e respektojnë do të përballen me masa ndëshkuese.







