Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, në vizitën e saj të parë në vend.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti theksoi se anëtarësimi në BE është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës.
Ai shtoi se përkrahjen e Bashkimit Evropian, Kosova e ka kthyer në një demokraci gjithëpërfshirëse që promovon vlerat evropiane, e cila dëshmohet edhe me mbështetjen e madhe ndaj BE-së.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se vullneti i popullit të Kosovës për anëtarësim, duhet të marrë përgjigje me vullnet për pranim nga Bashkimi Evropian, duke theksuar rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kurti tha se Republika e Kosovës prin në indekset e matjes së sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike, liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve. Ai, po ashtu, nënvizoi përparimin e vazhdueshëm në përmbushjen e reformave evropiane, linjëzimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimin ekonomik.
Krahas veprimeve dhe reformave në kuadër të anëtarësimit në BE, Kurti foli edhe për bashkëpunimin rajonal dhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Proces të Berlinit, me theks te marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime që Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar dhe asaj për njohjen e diplomave.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







