Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.
Siç thuhet në njoftim sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me katërmbëdhjetë (14) raste, komuna e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste; Kaçaniku me gjashtë (6) raste; Fushë-Kosova me tre (3) raste; Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







