Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave dhe portaleve lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke sqaruar se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në këto samite në cilësinë e shtetit pjesëmarrës.
Sipas MPJD-së, Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP), çka nënkupton se nuk gëzon statusin që do t’i mundësonte pjesëmarrjen në samitet e Aleancës.
“Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës. Në raste të veçanta, në varësi të agjendës, ftesë mund të marrin edhe partnerë të NATO-s”, thuhet në sqarimin e ministrisë.
MPJD bën të ditur se në samitin e ardhshëm, përveç vendeve anëtare, ftesë kanë marrë partnerët e NATO-s në kuadër të formatit Indo-Pacific Four (IP4) – Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – si dhe Ukraina.
Ministria ka theksuar gjithashtu se Kosova deri më tani nuk ka marrë pjesë në asnjë Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrja e saj në të kaluarën ka qenë vetëm në aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e samiteve.
Një prej tyre ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës paralelisht me Samitin e NATO-s.
“Ky aktivitet nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s”, ka sqaruar MPJD.
Në fund, ministria ritheksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj, duke e konsideruar anëtarësimin e plotë në Aleancë si një nga objektivat strategjikë të vendit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







