U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se shumica parlamentare i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, ndërsa ka kërkuar që çështja e presidentit të zgjidhet përmes një kandidati konsensual që nuk i përket asnjë partie politike.
Ajo tha se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të nisë procesi i konstituimit të Kuvendit, ndërsa sipas saj prioritet mbetet votimi i qeverisë dhe më pas zgjedhja e presidentit.
“Sa i përket çështjes së procesit që na pret, ne presim që sa më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit. Dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ne kemi konstituimin e kuvendit, që në këtë rast seanca konstituive duhet të thirret brenda 30 ditëve nga unë si ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, sapo të konstituohet kuvendi, ju e dini që bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kuvendi ka kohë 60 ditë për të zgjedhur presidentin”, tha ajo.
Haxhiu u shpreh se zgjidhja më e mirë për postin e presidentit është një figurë që nuk vjen nga partitë politike.
“Mendoj që duhet ta konstituojmë kuvendin, duhet ta votojmë qeverinë, por në ndërkohë të vazhdojmë takimet për çështjen e presidentit. Kemi thënë që zgjidhja e duhur për këtë çështje është që ta gjejmë një kandidat që nuk është në ndonjë parti politike. Dhe mendoj që me këtë zgjidhje, me këtë emër që nuk është në ndonjë parti politike — pra një emër konsensual — Kosova, Republika jonë, ka shumë persona që kanë kontribuar në sfera dhe në fusha të ndryshme. Pra, mendoj që kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha ajo.
Ajo kritikoi partitë që, sipas saj, kanë bllokuar proceset institucionale, duke thënë se qytetarët i kanë ndëshkuar me votë qasjet bllokuese.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë ndëshkuar partitë politike që bëjnë bllokada, që bëjnë obstruksione, që bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast kuvendin e Republikës së Kosovës. Bojkoti nuk është zgjidhje. Bojkoti është refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës edhe në dhjetor, edhe në qershor. Prandaj, le t’i braktisim këto qëndrime bllokuese dhe le të ecim përpara sepse kemi shumë reforma dhe punë që duhet t’i bëjmë”, tha ajo.
Duke komentuar pritjet për rezultatin përfundimtar zgjedhor, Haxhiu tha se vlerësimet do të bëhen pas certifikimit të rezultateve.
“Qysh? 200,000? Shihni, certifikimi ndodh, dhe pastaj e bëjmë vlerësimin dhe diskutimin sërish. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë subjekti më i madh në vend, Kryeministri Kurti vazhdon të jetë personi me mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e ka mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës për shkak të punës së mirë që kanë bërë. Ato diskutimet e 200-300,000 votave, le t’ua lëmë studiove televizive”, tha ajo.
E pyetur nëse do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit, Haxhiu tha se vendimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dhe sa i përket përgjigjes “a do të jem kandidate për kryetare të kuvendit”, nuk di, domethënë për këtë vendos Vetëvendosja. Sepse ju e dini që grupit më të madh parlamentar pra subjektit që ka dalë i pari me mbështetjen më të madhe qytetare i takon që të propozojë kandidatin apo kandidaten për kryetar të kuvendit”, tha ajo.
Ajo theksoi se shumica parlamentare i ka votat për formimin e ekzekutivit.
“Do të kemi diskutime për këtë çështje. Qeveria është e rëndësishme që i ka votat, pra i kemi më shumë se 61 vota. Për të zgjedhur qeverinë duhen 61 vota, i kemi më shumë se 61, prandaj mund të vazhdojmë, domethënë me partnerët që i kemi pasur deri më tani. Ata kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin qeverinë Kurti. Sapo të konstituohet kuvendi, kryetari apo kryetarja e re e kuvendit — që është njëherit edhe ushtruese e detyrës së presidentit apo presidentes së vendit — e cakton mandatarin për kryeministër dhe vazhdojmë”, tha ajo.
Duke folur për hapat e mëtejmë institucionalë, Haxhiu tha se nevojitet qasje konstruktive dhe braktisje e praktikave bllokuese.
“Pra e thashë edhe një herë, pas konstituimit të kuvendit, 60 ditë për të zgjedhur presidentin. Por ne, sipas rendit të gjërave, vazhdojmë me votimin e qeverisë e pastaj me çështjen e presidentit. Shihni, unë mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë qasje konstruktive. Pra, që të braktisen praktikat bllokuese, të cilat janë ndëshkuar nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Çfarëdo veprimi që i shërben kësaj qasjeje, natyrisht që ne i duartrokasim. Por le të jemi seriozë, le të dëshmojmë vullnet sepse qytetarët e Republikës së Kosovës duan që institucionet të jenë stabile dhe duan që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që i kemi dhënë para qytetarëve. Programi që është shpalosur në dhjetor nuk ka mundur që të jetësohet pikërisht për shkak të këtyre bllokadave. Kosova, edhe për së brendshmi, edhe për së jashtmi, ka nevojë për konsolidim, ka nevojë për institucione të fuqishme, të forta, që i dalin ballë çfarëdo sfide që mund të kemi në të ardhmen”, tha ajo.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







