Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e rinumërimit të të gjitha 185 vendvotimeve për të cilat kishte marrë vendim për rinumërim.
E dallimi në vota nga partitë politike para dhe pas rinumërimit është shumë i vogël.
Pas rinumërimit, LVV ka shtuar katër vota më shumë, nga 382,865 sa kishte, në 382,869.
Ndërkohë, PDK-ja ka humbur një votë pas rinumërimit, nga 157,893 vota, tani 157,292.
Lidhja Demokratike e Kosovës është shtuar për 8 vota, nga 135,559 në 135,567 vota, ndërsa AAK ka humbur dy vota, nga 54,731 në 54,729.

Ndërkohë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e numërimit dhe rinumërimit.
“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi njoftoi se, sipas procedurave, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë në shqyrtim.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







