Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të miturit A.O., në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datë 14.07.2026, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.
Rasti ka ndodhur, të dielën, në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku pas një konflikti mes dy familjeve (kushërinj) një 27 vjeçar e ka humbur jetën si pasojë e plagëve nga goditja me thikë.
“Gjyqtarja për të mitur, pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar. Gjyqtarja për të mitur, ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar në ligj, dhe i arsyeshëm dhe do të sigurojë zhvillimin e pa penguar të rrjedhës së procedurës përgatitore, dhe sigurimin e prezencës së të miturit para institucioneve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje bëhet e ditur se gjykata në orët e pasdites të datës 15.06.2026, ka pranuar edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për dy të pandehur të tjerë, Sh. O., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe ndaj të dyshuarës A. O., e cila gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale shtytje në “Vrasje të rëndë”.
Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se kjo kërkesë do të trajtohet pranë Departamentit për Krime të Rënda, dhe gjyqtarja e procedurës paraprake, brenda afatit ligjor do të cakton seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







