Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës “Njihuni me Kosovën në Vjenë 2026”, i cili zhvillohet nën temën “Rruga e Kosovës drejt Integrimit Ekonomik dhe Rritjes”.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Austrinë, duke e cilësuar atë si një mbështetëse të vazhdueshme të Kosovës në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj.
Ai bëri të ditur se para forumit kishte zhvilluar një takim me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme për të dy vendet, përfshirë marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik, investimet, integrimin evropian, si dhe sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
“Austria ka qenë përkrahëse e Kosovës për një kohë të gjatë, në disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe më të vështirë të historisë sonë moderne, duke kontribuar si në të kaluarën, ashtu edhe në mbështetjen për të ardhmen evropiane të vendit”, tha Kurti.
Sipas tij, mbështetja austriake ka ardhur në forma të ndryshme, duke përfshirë diplomacinë dhe angazhimin në forume ndërkombëtare, por edhe përmes mbështetjes më pak të dukshme, që megjithatë ka qenë po aq e rëndësishme.
Kurti theksoi edhe rolin e diasporës kosovare në Austri, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
“Shumë studentë dhe profesionistë me origjinë nga Kosova janë integruar me sukses në shoqërinë austriake dhe njëkohësisht kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, duke shërbyer si një urë e gjallë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh ai.
Duke folur për sektorin e energjisë, Kurti theksoi synimet strategjike të Kosovës për rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme.
“Synimi ynë është që deri në vitin 2030 të rrisim ndjeshëm kapacitetet e energjisë alternative, duke kaluar në mbi 25 për qind të prodhimit total. Ky është një objektiv jo vetëm ekonomik, por edhe mjedisor, pasi energjia e pastër është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se energjia po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje ekonomike që ndikon drejtpërdrejt në sektorë të ndryshëm.
“Sot në Evropë, energjia është bërë çështje që ndërlidhet me ekonominë, bujqësinë dhe industrinë. Prandaj, investimet në këtë sektor janë kyçe për të ardhmen”, theksoi ai.
Kurti foli edhe për projektet infrastrukturore dhe menaxhimin e burimeve ujore, duke nënvizuar rëndësinë e përputhjes me standardet mjedisore.
“Projektet e reja në energji dhe ujë do të dizajnohen në përputhje të plotë me standardet mjedisore, duke kontribuar në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe në sigurimin e burimeve për të ardhmen”, tha ai.
Tutje, kryeministri në detyrë nënvizoi se integrimi evropian nuk është vetëm një proces politik, por edhe një proces njerëzor.
“Objektivat janë gjithëpërfshirëse dhe synojnë të kontribuojnë në përshpejtimin e së ardhmes evropiane të Kosovës. Kjo përpjekje ka marrë forma të ndryshme, disa më të dukshme në diplomacinë e forumeve ndërkombëtare, e herë të tjera më pak të dukshme, por gjithmonë me rëndësi të veçantë”, tha Kurti.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







