Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, duke hapur rrugën për fillimin e procesit të mbështetjes financiare për fermerët në Kosovë.
Sipas ministrit, udhëzimi obligon Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë që të hapë thirrjen për aplikim në skemat e pagesave direkte, ndërsa pagesat do të realizohen menjëherë pas përfundimit të verifikimeve dhe sipas afateve të përcaktuara në dokument.
Paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjell një sërë risish dhe rritje të mbështetjes për sektorë të ndryshëm të prodhimit bujqësor. Ndër masat kryesore janë:
- 30% rritje për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe në serra;
- 30% rritje për sipërfaqet e mbjella me pemë;
- 20% rritje për pagesat e grurit me rendiment të lartë;
- 20% rritje për sipërfaqet e mbjella me mjedra;
- 20% rritje për sipërfaqet e mbjella me patate dhe fasule;
- 20% rritje për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim;
- 20% rritje për mbështetjen e viçave për majmëri;
- 10% rritje për sipërfaqet e mbjella me vreshta;
- Subvencion prej 7 centësh për litër qumësht;
- 100 euro shtesë për fermerët që kultivojnë hektarin e parë;
- 100 euro për hektar për mbështetjen e plehut artificial;
- 54 euro për hektar për mbështetjen e naftës;
- 500 euro mbështetje për të rinjtë e moshës 18–29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.
Ministri bëri të ditur se të gjitha kulturat e tjera bujqësore do të vazhdojnë të mbështeten sipas niveleve të vitit të kaluar.
“Me këtë paketë po rrisim mbështetjen për prodhimin vendor, po fuqizojmë fermerin aktiv dhe po e bëjmë bujqësinë më të qëndrueshme dhe më konkurruese,” theksoi Muja.
Një risi e rëndësishme është se ky Udhëzim Administrativ, për dallim nga praktikat e deritanishme, është konceptuar si një kornizë afatgjatë sipas praktikave të BE-së. Qëllimi është që në vitet në vijim thirrjet për aplikim të hapen me kohë dhe të jenë të harmonizuara me kalendarin e punëve bujqësore, duke u mundësuar fermerëve planifikim më të mirë të prodhimit dhe investimeve të tyre.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!