spot_img
HomeLajmePZAP gjobit VV-në me mbi 5 mijë euro për...

PZAP gjobit VV-në me mbi 5 mijë euro për përfshirjen e të miturës në fushatë

spot_img

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për të gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 5,100 euro, pas pranimit të ankesave nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), lidhur me përfshirjen e një të miture në aktivitet zgjedhor.

Sipas ankesave, gjatë tubimit të mbajtur më 30 dhe 31 maj 2026, një vajzë e mitur rreth 10 vjeç është ftuar në skenë nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ku ka recituar para pjesëmarrësve dhe ka qenë e veshur me rroba me logo të subjektit politik.

LDK dhe IKD kanë pretenduar se kjo përbën shkelje të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024, e cila ndalon përfshirjen e personave nën moshën 15 vjeç në fushatë zgjedhore.

Në mbrojtjen e saj, LVV ka deklaruar se e mitura nuk ka qenë e angazhuar nga subjekti politik, por ka marrë pjesë me iniciativë personale dhe në prani të prindit, duke e konsideruar veprimin si spontan.

Megjithatë, PZAP ka vlerësuar se pavarësisht iniciativës, fakti që subjekti politik ka mundësuar paraqitjen e saj në skenë përbën shkelje të rregullave zgjedhore. Paneli ka theksuar se ndalimi i përfshirjes së fëmijëve në fushatë është absolut dhe synon mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, PZAP ka refuzuar pretendimet e LVV-së se nuk ka pasur organizim apo ftesë zyrtare, duke theksuar se lejimi i pjesëmarrjes aktive në aktivitet zgjedhor është i mjaftueshëm për të konstatuar shkeljen. Gjithashtu, është vlerësuar si e parëndësishme prania apo moskundërshtimi i prindit.

Në përfundim, paneli ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur nenin 5 të Rregullores Zgjedhore për fushatën zgjedhore dhe ka vendosur gjobë prej 5,100 euro, e cila duhet të paguhet brenda 15 ditëve pas hyrjes në fuqi të vendimit.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img