Për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror. Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në vizitën e tij në Prishtinë.
Costa po qëndron në Kosovë në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, para Samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.
U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon.
“Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është një bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë të ndikimeve të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë edhe për vetë Bashkimin Evropian”, deklaroi Haxhiu, njofton Presidenca e Kosovës.
Në takim, sipas njoftimit, u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, nevojën për avancimin e procesit të integrimit, si dhe rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë plan si një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, afrim me tregun e përbashkët evropian dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike e partiake”, njofton Presidenca.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







